Investimet e huaja, kompani serioze po zgjerojnë biznesin në Shqipëri

TIRANË, 31 korrik /ATSH/ Investimet e huaja dhe përmirësimi i klimës për biznesin janë dy pika të rëndësishme që u prekën në bashkëbisedimin e ministrit të Ekonomisë dhe Financave, Arben Ahmetaj në koment të raportit të Departamentit Amerikan të Shtetit. Kështu, Ahmetaj ka sqaruar së pari shifrat e punësimit, duke theksuar se janë 670 mijë persona realë në listëpagesa, njerëz që shkojnë në punë në mëngjes, që do të thotë 230, 240 mijë më shumë të punësuar sesa në janar 2013.

Sa i takon investimeve të huaja, ai pranoi se “kemi shumë për të bërë për përmirësimin e klimës”. “Raporti me të drejtë vëren defektet që duhen korrigjuar, thithja e investimeve të huaja është një përpjekje dinamike. Ajo që dua të sjell në vëmendje është që tremujori i parë i vitit 2018 ka një shifër shumë të mirë investimesh të huaja, që na bën të besojmë se ky vit do jetë vit shumë i mirë për investimet e huaja”, – theksoi Ahmetaj.

Ai përcolli për publikun edhe disa emra që janë afruar në Shqipëri me investime serioze, si kompania “Shell” apo kompania gjermane “Forschner” dhe disa kompani energjetike që po veprojnë prej tre-katër vjetësh. Ahmetaj saktësoi se kompania gjermane “Forschner”, që prodhon pjesë këmbimi për makinat, telat e cilësisë së lartë e të sofistikuar për të gjitha llojet e makinave, ka bërë kërkesë për zgjerim aktiviteti në Durrës, një investim me mbi 1 mijë punonjës dhe akademinë teknike.

Ai solli dy shembuj të abuzimit me nënkontraktorët, duke u fokusuar tek bypass i Fierit, që sipas ministrit Ahmetaj, u bë në historinë politike dhe atë të investimeve publike në Shqipëri, një shembull qesharak. “Kompanisë italiane iu dha me forcë në vitin 2011 nënkontraktori dhe kjo dështoi. Ajo që ne po bëjmë, është lufta për të pasur një Drejtësi që të garantojë të gjithë investitorët e huaj dhe vendas. Me një drejtësi të fortë e të mirë, thithim më shumë investime. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.