“Interi”, pranë marrëveshjes me “Bajernin” për Vidal

TIRANË, 31 korrik/ATSH/ – “Interi” ka mbyllur dy marrëveshje të rëndësishme në pak orë, të cilat kompletojnë organikën e Luciano Spallettit për sezonin e ri.

“Corriere Dello Sport” shkruan se klubi zikaltër ka arritur akordin me “Bayern Munich” për transferimin në Milano të Arturo Vidal, mesfushorit të shumëkërkuar në merkato nga Spalletti.

Sipas gazetës italiane “Interi” do t’i paguajë kampionëve të Gjermanisë 5 milionë euro për huazimin e lojtarit për 2 sezone dhe 22 milionë euro për blerjen përfundimtare të tij pas 2 vitesh. Megjithatë ekziston edhe një kleçkë e fundit pasi kiliani është në skadencë kontrate me “Bayern-in” në verën e vitit 2019-të dhe për të kaluar te “Interi” më parë Vidal duhet të zgjasë marrëveshjen aktuale me bavarezët edhe me të paktën 2 vite.

Dëshira e futbollistit dhe e familjes së tij për t’u transferuar në Milano kanë luajtur një rol shumë të rëndësishëm që “Bayern-i” t’i ndizte dritën jeshile klubit zikaltër. Tashmë Spalletti pret luftëtarin e tij për të krijuar një mesfushë të frikshme me Vidal-Brozovic e Nainggolan. /gj.m/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.