FOTO/ Turistja angleze frymëzohet nga afresku “Sjellësi i pranverës” në Vlorë dhe e bën tatuazh

TIRANË, 31 Korrik /ATSH/ – Turistja angleze dhe dashamirësja e shpendëve, Sheila Phyall është frymëzuar nga afresku më i madh i Ballkanit, i njohur si “Sjellësi i Pranverës” që gjendet në qytetin e Vlorës dhe e ka riprodhuar atë si tatuazh në trupin e saj.

Afresku “Sjellësi i Pranverës” është realizuar nga PPNEA dhe BSPB në kuadër të projektit “Toka e Kështjellave dhe Shqiponjave” në vitin 2016 dhe ka për qëllim rritjen e ndërgjegjësimit për ruajtjen e kalit të qyqes në vendin tonë.

Afresku, përmban dy elementë kryesorë: kalin e qyqes dhe qyqen dhe është realizuar në formë të tillë që të shprehë një legjendë të hershme të popullit tonë që i ka dhënë edhe emrin këtij lloji.

Në prag pranvere të dy këta lloje kthehen nga shtegtimi në të njëjtën kohë dhe mendohej se qyqja, një shpend më i vogël, kishte nevojë për shpinën e një shpendi të madh dhe të fuqishëm si kali i qyqes për ta sjellë nga territoret e shtegtimit.

Sheila Phyall është shprehur se këtë xhest e ka kryer ndikuar nga frymëzimi që i ka shkaktuar afresku i Vlorës dhe në shenjë mbështetjeje të fortë të veprimtarisë që po kryhet për ruajtjen e këtij lloji si dhe për rritjen e ndërgjegjësimit të publikut të gjerë jo vetëm për ruajtjen e kalit të qyqes por biodiversitetit në përgjithësi. /gj.mima/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.