Bashkia e Beratit, dëgjesë publike për investimet në Velabisht

TIRANE, 28 korrik /ATSH/ -Në Njësinë Administrative Velabisht u zhvillua dëgjesa publike e radhës, e cila kishte si qëllim prezantimin e investimeve kryesore që Bashkia e Beratit ka parashikuar në zbatim të Planit Buxhetor Afatmesëm 2019 – 2021 për këtë njësi.

Përfaqësues të Bashkisë të caktuar për organizimin e kësaj dëgjese ishin Nënkryetari i Bashkisë, Çlirim Brisku, dhe administrator i Njësisë Administrative Velabisht, Mirel Arapi. Në këtë dëgjesë merrnin pjesë Këshilltari i Kabinetit të Bashkisë, A. Mema, anëtarë të Njësisë së Velabishtit, kryetarë të fshatrave, banorë të zonës etj.

Nënkryetari i Bashkisë, Çlirim Brisku, pasi bëri një paraqitje të shkurtër të situatës së investimeve dhe shërbimeve të kryera dhe të atyre që do të kryen sipas planit të përgatitur, kërkoi nga banorët të shprehnin mendimet dhe gjykimet e tyre në lidhje me PBA 2019-2021.

Dëgjesa vazhdoi në formën e një bashkëbisedimi, ku secili prej kryetarëve të fshatrave dhe banorëve të kësaj njësie shtruan kërkesat e tyre, të cilat kryesisht kishin të bënin me: përmirësimin e rrjetit të ujit të pijshëm, të depove të ujit; përmirësimin e rrjetit të energjisë elektrike; përmirësimin dhe mirëmbajtjen e rrugëve kryesore e dytësore të lagjeve; ndërtimin e argjinaturës në lumin Osum për mbrojtjen e tokave nga përmbytjet, ofrimin e shërbimit të plotë për ndriçimin, gjelbërimin dhe pastrimin për qendrat e lagjeve; shtimin e sipërfaqes së varrezave; plan – projekt në qendrat e fshatrave për zhvillimin e agroturizmit, vënien në funksion të plotë të kanaleve vaditëse dhe ndërtimin e unazës së Starovës./e.malaj/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.