Kali i Qyqes në Nivicë edhe si atraksion turistik

TIRANË, 27 korrik /ATSH/ – Pas stacionit të parë të ndërtuar në luginën e Lumit Drino, Bashkia Dropull, është stacioni i dytë i ushqimit plotësues për shkabat i ndërtuar në vend dhe gjendet në krahinën e Kurveleshit, Bashkia Tepelenë.

Brenda kësaj strukture do të vendosen mbetje mishi të thertoreve të pakonsumueshme nga njerëzit dhe do të shërbejnë si ushqim i sigurt për kalin e qyqes dhe shpendët e tjerë grabitqarë me qëllim rimëkëmbjen e popullatës së tyre.

Një ndër shkaqet kryesore të rënies së popullatës së kalit të qyqes në vendin tonë është helmimi i paqëllimshëm.

Blegtorët të cilët humbasin gjënë e gjallë si pasojë e mishngrënësve të mëdhenj si psh. ujku vendosin në mënyrë të paligjshme helm në kërmën e kafshës së dëmtuar me qëllim që të asgjesojnë kafshën dëmtuese.

Kali i qyqes dhe shpendë të tjerë grabitqarë që ushqehen me kërma bien viktimë e kësaj dukurie. Kjo strukturë pritet të zbusë riskun e helmimit të shpendëve grabitqarë.

Ky stacion është ndërtuar në Nivicë të Kurveleshit si vendi ku kali i qyqes ende ka foletë. Stacioni jo vetëm do të bëjë të mundur mbrojtjen e kësaj specie të rrallë por do të jetë dhe një atraksion turistik.
Vitin e kaluar kanë qenë dy grupe britanike që kanë ardhur për ta vëzhguar, sivjet janë katër grupe. /a.a/ /a.g/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.