Segmenti rrugor Milot-Balldren, Ministria e Infrastrukturës sqaron kostot

TIRANË, 25 korrik/ATSH-A.Fortuzi/ – Referuar publikimeve në media rreth procedurës së hapjes së garës për dhënien me koncesion partneritet publik/privat për “Ndërtimin, financimin dhe mirëmbajtjen e segmentit rrugor Milot-Balldren”, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë sqaron se vlera e shënuar në relacionin e Buxhetit të Shtetit përfaqëson vlerën e parashikuar të kostos së ndërtimit të kësaj rruge në momentin kur është paraqitur ideja.

Ndërkaq, sipas njoftimit Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, te vlera e vendosur në fondin limit të hapjes së garës për këtë koncesion është 20.1 miliardë lekë dhe përfshin brenda saj edhe ndryshimet që ka pësuar projekti për ‘Ndërtimin, financimin dhe mirëmbajtjen e segmentit rrugor Milot-Balldren”.

Konkretisht, projektit i janë shtuar krahasuar me atë fillestar, sa vijon: Ndërtimi i rrugëve sekondare që nuk ishin parashikuar në variantin e parë, por të konsideruara të domosdoshme. Sjellja në parametrat e kategorisë A të aksit ekzistues si dhe përmirësimi i nivelit, shtimi edhe i korsive të emergjencës në këtë aks. Rikonstruksioni i dy urave ekzistuese mbi lumin Drin dhe Mat si dhe i të gjitha veprave të artit, për t’i sjellë edhe ato në parametrat e kësaj kategorie rruge. Përmirësimi i parametrave të rrugës në zonën kënetore, nga Ura e Drinit deri në hyrje të tunelit dhe i të gjitha nënkalimeve që i shërbejnë komunitetit.

Ndriçimi i të gjitha nyjeve hyrëse dhe dalëse që nuk ishin parashikuar në variantin e parë.

Përmirësimi i sinjalistikës vertikale dhe horizontale në rrugën ekzistuese sipas Kodit të Bashkimit Europian për rrugë të kategorisë A.

Kosto e parashikuar në fondin limit të hapjes së procedurës përfshin kryerjen e një pakete ndërhyrjesh të reja krahasuar me variantin fillestar, ndaj dhe shuma ndryshon nga ajo e shënuar paraprakisht në relacionin e Buxhetit të Shtetit.

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë garanton median dhe opinionin publik se për secilin projekt të Partneritetit Publik Privat në fushën e infrastrukturës rrugore do të merret kompani e huaj e specializuar për të kryer supervizimin dhe certifikimin e punimeve dhe kostove përkatëse. /r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.