Prej 20 vitesh i harruar, segmenti rrugor “Pylli i Sodës” – “Petrolifera” ribëhet i kalueshëm

TIRANË, 25 korrik/ATSH-A.Fortuzi/ – Vlonjatët dhe turistët tashmë do të kenë një rrugë të re për të shkuar në plazhet e bukura të Zvërnecit, por jo vetëm. Rruga që lidh “Petroliferën” e Vlorës me “Pyllin e Sodës”, rrugë që lidh edhe Vlorën me Zvërnecin është drejt rikonstruksionit total.

Prefekti i Vlorës, Flamur Mamaj, gjatë një prononcimi për Agjencinë Telegrafike Shqiptare tha se kjo rrugë përveç se do t’i shërbejë banorëve të zonës, është një shtysë edhe për turizmin, ku në këtë periudhë fluksi është tejet e lartë.

“Kishte 20 vite që ishte harruar, ishte kthyer në një gangrenë për banorët e zonës dhe turistët që kërkonin të kalonin nga ky segment prej 700 metrash. Kjo rrugë lidh “Pyllin e Sodës” me “Petroliferën” dhe po ndërtohet me kontributin e bizneseve të Vlorës dhe vetë “Petroliferës””, – tha Mamaj për ATSH.

“Momentalisht po punohet që rruga të nivelohet në kuotën e llogaritur dhe më pas do të shtrohet. Ajo do të jetë e përshkueshme brenda javës që vjen”, – tha Mamaj për ATSH-në. /r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.