PD: Konfirmimi në detyrë i Ardian Dvoranit, lajm i keq për Reformën në Drejtësi

TIRANË, 25 Korrik /ATSH/ -Partia Demokratike e konsideroi sot konfirmimin e gjyqtarit të Gjykatës së Lartë Ardian Dvorani në detyrë si një lajm të keq për Reformën në Drejtësi dhe procesin e Vetingut, duke i vënë atij vulën e një procesi farsë dhe politik.

Nënkryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj u shpreh sot në një deklaratë për mediat se:  “Partia Demokratike paralajmëroi vendimin politik që i ashtuquajturi Komision i Pavarur i Kualifikimit do të merrte për Ardian Dvoranin me 100 milionë lekë pasuri të pajustifikuar dhe me disa shtëpi të fituara në konflikt interesi gjatë kohës që ushtronte detyra për kompani shtetërore”.

“Fshehja e 100 milionë lekëve nga Ardian Dvorani nuk ishte fakt i mjaftueshëm për organin e vettingut që ta shkarkonte shërbëtorin e Edi Ramës në Gjykatën e Lartë, ndërkohë që, në raste të tjera, me të drejtë, vettingu ka shkarkuar gjyqtarë për 3 milionë lekë të vjetra të padeklaruara”, tha Alibeaj.

Sipas tij, “Ardian Dvorani është i vetmi gjyqtar në Republikën e Shqipërisë që nuk ka zbatuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese, e cila vendosi në 2016-ën se mandati i Ardian Dvoranit si anëtar i Gjykatës së Lartë kishte përfunduar që në 2014-ën dhe se qëndrimi në detyrë ishte antikushtetues”.

“Ardian Dvorani, zgjodhi të mos zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuesë, por urdhrin politik të Edi Ramës për të qëndruar në detyrë 4 vite pas mbarimit të mandatit, sepse ai është projektuar të emërohet anëtar i Gjykatës Kushtetuese”, theksoi Alibeaj.

Alibeaj shtoi se, “përfundimi për Dvoranin dihej, sepse organi i vettingut nuk po funksionon si i pavarur, por në shërbim të Edi Ramës, për të lënë në sistem gjyqtarë dhe prokurorë të korruptuar dhe shërbëtorë politikë të Edi Ramës.

Sipas Alibeajt, “nëse procesi i vettingut nuk do të ishte i korruptuar politikisht, sot Ardian Dvorani duhet të ishte shkarkuar nga detyra për fshehjë të pasurisë, përfitim të paligjshëm të pasurisë dhe mungesë integriteti moral dhe profesional”.

“Ajo çfarë mbetet e pasqaruar nga procedura e verifikimit të vettingut të Ardian Dvoranit është, nëse miku i familjes së Fatmir Xhafajt, ka patur ndonjë kontakt me Agron Xhafajn dhe a i ka shërbyer ndonjëherë vëllait të Ministrit të Brendshëm dhe bandës së tij të trafikut ndërkombëtar të drogës?”, theksoi Alibeaj.

“Partia Demokratike e konsideron konfirmimin në detyrë të shërbëtori të Edi Ramës në Gjykatën e Lartë si një lajm të keq për Reformën në Drejtësi dhe procesin e vettingut, duke i vënë atij vulën e një procesi farsë dhe politik. Partia Demokratike po ndjek me vëmendje çdo veprim të organeve të vettingut dhe ne do të bëjmë publik çdo rast ku vërtetohet konfirmimi në detyrë i gjyqtarëve të korruptuar, të lidhur me krimin e organizuar apo shërbëtorë të Edi Ramës”, përfundoi deklaratën e tij nënkryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj.

/gj.mima/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.