Kampioni i botës kërkon të largohet nga “Barcelona”

TIRANË, 25 korrik/ATSH-A.Fortuzi/ – Edhe pse “Barcelona” është një nga klubet më të rëndësishme të futbollit botëror, duket se jo të gjithë futbollistët e mendojnë kështu. I sapo shpallur kampion bote, Dembélé kërkon largimin nga katalanasit.

Sipas Helena Condis në ”Sports COPE”, Dembélé, është prekur edhe në sedër, sepse beson se nënshkrimi me Malcom tregon se klubi katalanas nuk beson në të.

Lojtari francez ka vuajtur në vitin e tij të parë në Barcelonë dhe nuk është i gatshëm të luajë një rol dytësor përsëri, këtë sezon. Sulmuesi francez, përveç kësaj, është lënduar shpirtërisht me trajnerin e “Barcelonës”, sepse Valverde nuk i ka dërguar atij asnjë mesazh për ta përgëzuar për fitimin e Kupës së Botës. Francezi e përjeton shumë këtë gjest të Valverde, pas një sezoni të vështirë. Marrëdhënia e tij me trajnerin Ernesto Valverde është shumë e ftohtë dhe shpreson që tekniku ta sqarojë sa më shpejt nëse ai do të ketë rol kryesor apo jo në skuadër.

“Barcelona”, sipas Helena Condis, nuk parashikon transferimin e lojtarit. Klubi katalanas e konsideron të patransferueshëm, pasi ai dhe Malcom janë dy lojtarë të ndryshëm, për të përforcuar grupin. /r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.