“Fiat” e “Ferrari” në zi, ndahet nga jeta Sergio Marchionne

TIRANË, 25 korrik/ATSH-A.Fortuzi/- Serxho Markione një nga gjenitë e sipërmarrjes italiane është ndarë sot nga jeta në moshën 66-vjeçare pas një infarkti.

Gjeniu Markione njihet më së shumti për shpëtimin e “FIATIT” nga falimentimi. Ajo që dukej si një utopi, u bë realitet nga Markione, që më vonë e shndërroi “FIATIN” në një markë botërore, madje duke punuar deri në momentin e fundit për planet e së ardhmes.

Markione studioi në Kanada dhe kishte diploma në filozofi, ekonomi e jurisprudencë, si dhe master në administrim biznes. Në 2014-ën mori në dorë frenat e “Ferrarit”, ku do duhej të qëndronte deri në vitin 2021. Frytet u dhanë gjatë vitit 2017-të si fillim, e duken akoma më shumë gjatë këtij sezoni, ku italianët janë aktualisht kokë më kokë me “Mercedes” për titullin e konstruktorëve, si dhe atë të pilotëve me Sebastian Vetel.

Një menaxher në qendër të vëmendjes edhe për shkak të lidhjeve të tij politike që nga Obama, deri te Trump. Në 1 qershor 2004, pas vdekjes së njeriut që e solli te “FIATI”, Umberto Anjeli, u zgjodh si njeriu për të rilindur markën italiane me Luka di Montezemelo president dhe John Elkann zëvendëspresident. /r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.