Zjarret në Greqi, Meta mesazh ngushëllimi homologut grek, Pavlopoulos

TIRANË, 24 Korrik /ATSH/ -Presidenti i Republikës, Ilir Meta i ka dërguar një mesazh ngushëllimi homologut të tij grek Prokopis Pavlopoulos pas zjarreve të rëna në Greqi ku kanë humbur jetën të paktën 50 persona.

“Me ankth e shqetësim të madh po ndjek përhapjen dhe dëmet që po shkaktojnë zjarret e furishme që kanë rënë përqark Athinës.

Jam shumë i tronditur nga viktimat në njerëz dhe i shpreh ngushëllimet më të ndjera familjarëve e të dashurve të tyre. Të lënduarve i uroj shërim sa më të shpejtë.

Lutem që të mos ketë viktima të tjera në njerëz dhe që zjarret e egra të vihen shpejt nën kontroll nga autoritetet zjarrëfikëse greke.

Ju siguroj se, në këto momente të vështira, unë dhe populli shqiptar jemi krah jush dhe qytetarëve të Athinës e të gjithë Greqisë”, thuhet në mesazhin e ngushëllimit të Presidentit Meta.

/gj.mima/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.