Zjarret në Athinë, Veliaj: Solidarizohemi me miqtë tanë, do të kontribuojmë me ndihma

TIRANË, 24 korrik/ATSH/-Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ka shprehur solidaritetin e qytetarëve të Tiranës lidhur me situatën emergjente të krijuar ne Athine, si pasojë e zjarreve të mëdha.
Përmes një postimi në Twitter, kryebashkiaku Veliaj shprehet i trishtuar për jetët e humbura në këtë betejë kundër flakëve, ndërsa thekson se Këshilli Bashkiak i Tiranës do të ndihmojë për t’i ardhur në ndihmë Athinës, në këtë situatë të vështirë ku ndodhet kryeqyteti grek.
Ai ka komunikuar edhe me homologun e tij, Kaminis, te cilit i shprehu gatishmërinë për të ndihmuar ne kalimin e situatës.
“Tirana solidarizohet me miqtë tanë në Atikë/Athinë, qe po luftojnë me ferrin e vërtetë të zjarreve! Jemi të trishtuar nga humbja e jetëve dhe lutemi që zjarret të vihen nën kontroll sa me shpejt te jete e mundur. Këshilli ynë i qytetit do të japë një kontribut nëpërmjet Ambasades Greke për të ndihmuar qytetin tonë motër”, shkruan Veliaj.
E menjëhershme ka qenë edhe mirënjohja nga ana e Kryetarit të Bashkisë së Athinës, Yiorgos Kaminis. Kryebashkiaku i Athinës ka falënderuar homologun e tij shqiptar për solidaritetin e treguar dhe thekson se është rënë dakord për koordinimin e punës për ndihmën e premtuar nga Tirana në zonat e prekura.
“Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, dhe ai i Shkupit, Petre Shilegov, më kontaktuan dhe me shprehen mbështetjen e plotë për situatën që po kalon Athina dhe kemi rënë dakord për koordinimin e punës për të dërguar ndihmë në zonat e prekura”, shkruan kryebashkiaku grek.
z.tosku/ /a.g/
Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.