VIDEO/ Jugu shqiptar nuk ka vetëm bregdet, ka dhe Nivicë…

Jugu shqiptar nuk ka vetëm bregdet, ka dhe Nivicë…

Kanionet e Nivicës janë një pasuri natyrore e turizmit malor në Jug të Shqipërisë. Kushdo që ka udhëtuar qoftë dhe një herë drejt Kurveleshit, ato i janë shfaqur përballë ndërsa ngjitesh rrugës për në Progonat.

Posted by Agjencia Telegrafike Shqiptare on E martë, 24 Korrik 2018

TIRANË, 24 Korrik / ATSH.N.Lena / – Për të gjithë  ata që janë duke pushuar në Jugun shqiptar dhe moti bëhet i paqëndrueshëm për një pushim detar, për banjo dielli apo not në ujërat e pastra të Jonit, ka një alternativë mjaft interesante që mund të shfrytëzohet: ajo e shëtitjeve malore në lartësitë e Nivicës. Është një distancë jo e largët dhe tepër e mundshme për t’u realizuar. Vetëm pak kilometra nga deti në një natyrë të mrekullueshme shtrihen Kanionet e Nivicës. Mund të vizitohen  brenda ditës ose mund  dhe të qëndroni  një natë në bujtinat e zonës.

Kanionet e Nivicës janë një  pasuri natyrore e turizmit malor në Jug të Shqipërisë.

Kushdo që ka udhëtuar qoftë dhe një herë drejt Kurveleshit, ato i janë shfaqur përballë ndërsa ngjitesh rrugës për në Progonat.

Ato janë dhe më mahnitëse kur i shikon nga Nivica. Thellësia e tyre shkon deri në rreth 70 metra dhe mund të përdoren për ushtrimin e sporteve të ujit.

Ndodhen në afërsi të fshatit Nivicë  të Tepelenës. Kanë gjatësi deri në disa kilometër, gjerësi mesatare rreth 15 m, ndërsa thellësia varion sipas shtegut malor ku kalon lumi dhe  shkon deri në disa dhjetëra metra.

Kanionet  janë formuar nga erozioni i përroit (lumit) të Nivicës, pjesë e atij të Bënçës, në shkëmbinjtë gëlqerorë. Shpatet e kanionit janë vertikalë, kanë guva e shpella karstike shumë të vështira për t’u eksploruar.

Kalimi përgjatë fundit të kanionit është i vështirë, pasi ka edhe pragje me lartësi deri disa metra. Pamja e tyre madhështore, gjelbërimi në të dyja anët e tyre, i bëjnë ato tërheqëse. Kanë vlerë ekologjike, shkencore, didaktike e turistike.

Vizitohen sipas rrugës automobilistike Tepelenë , Progonat, Nivicë ose dhe nga bregdeti duke u futur nga Lumi i Vlorës, Himara apo Borshi.

Kohët e fundit, turistët aventurier të sporteve malore dhe  ujore, kanë filluar t’i vizitojnë këto kanione dhe t’i prezantojnë ato në botën turistike nëpërmjet fotove e videove që realizojnë në këto kanione. Nivica tashmë ndodhet shumë pranë detit.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.