Teatri i ri Kombëtar, PD: KE ka të drejtë të ndërhyjë

TIRANË, 24 Korrik /ATSH/ -Qeveria duhet të bëjë publike përgjigjet për 15 pyetjet e Brukselit, për aferën korruptive Rama-Fusha

Kryetari i Komisionit të Integrimit, Genc Pollo në një deklaratë për mediat u shpreh se, “prej disa ditësh qeveria shqiptare ka mbi tryezë pyetje zyrtare të Komisionit Europian, i cili i kërkon qeverisë të japë shpjegime mbi Ligjin Special “Rama – Fusha shpk”, përmes të cilit shembet Teatri Kombëtar dhe grabitet toka publike për të ndërtuar aty kulla me më shumë se 20 kate”.

“Para dy javësh ne këtë foltore denoncova shkeljen e rëndë që Ligji Special Fusha shpk i bën Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit me Bashkimin Europian dhe shtova se Komisioni Europian ka të drejtë e detyrë të ndërhyjë. Këtë shqetësim ne e kemi ngritur edhe në letrën që, bashkë me 3 kolegë demokratë, i dërguam Komisionit Europian ku shprehëm qartë se Ligji Special Fusha shpk përjashtoi nga gara kompanitë e tjera, përfshirë edhe ato të Bashkimit Europian”, shtoi Pollo.

Sipas tij, “Ligji special “Fusha shpk” përveçse që kaloi shpejt, nga sytë këmbët, në Kuvend, ai nuk u lejua të shqyrtohej në Komisionin e Integrimit europian. Pikërisht në Komisionin që ka detyrë të verifikojë nëse pr.ligjet janë në përputhje me MSA e legjislacionin europian!”.

Por, nënvizoi ai, “gjithsesi është koha që Qeveria të mos vonojë asnjë ditë më shumë përgjigjet e saj për Komisionin Europian; dhe t’i bëjë ato menjëherë publike, me transparencë, sepse tani kjo nuk është më një çështje e rutinës parlamentare”.

‘Partia Demokratike, si alternativë e pushtetit, do të hartojë përgjigjet e veta ndaj pyetjeve të Brukselit, do t’i paraqesi ato në BE dhe do t’i publikojë ato. Qytetarët le të gjykojnë pastaj. Afera Fusha shpk me shembjen e Teatrit Kombëtar dhe ndërtimin e kullave, në mungesë të Gjykatës Kushtetuese, është çështje e çdo shqiptari që, në vend të sundimit të krimit dhe korrupsionit, do Europën!”, përfundoi Kryetari i Komisionit të Integrimit, Genc Pollo.

/gj.mima/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.