Qeveria propozon 3 kandidatët për gjyqtarin e Shqipërisë në GJEDNJ

TIRANË, 24 Korrik /ATSH/ -Këshilli i Ministrave propozon për pozicionin e gjyqtarit të Shqipërisë në Gjykatën Europiane të të Drejtave të Njeriut (GJEDNJ), 3 kandidatët Darian Pavli; Marjana Semini; Sokol Berberi.

Për shkak të mbarimit të mandatit të gjyqtarit aktual të Shqipërisë në Gjykatën Europiane të të Drejtave të Njeriut (GJEDNJ), Shqipëria zhvilloi procedurën e përzgjedhjes së kandidatëve që rekomandohen për pozicionin e gjyqtarit të Shqipërisë në Gjykatën Europiane të të Drejtave të Njeriut (GJEDNJ).

Në kuadër të procedurës për përzgjedhjen e kandidatëve që rekomandohen për këtë pozicion, u ndërmorën të gjitha masat për të garantuar përputhshmërinë e plotë të këtij procesi me standardet e Këshillit të Evropës.

Njoftimi për aplikim u shpërnda gjerësisht nëpërmjet publikimit në faqen zyrtare të Kryeministrisë, të të gjitha institucioneve që ndërveprojnë me komunitetin e juristëve, si dhe në media.

Në funksion të pranimit të një numri sa më të lartë aplikimesh, u shty afati i dorëzimit të aplikimeve me 1 muaj, duke pranuar aplikime për një periudhë më të gjatë se 2-mujore.

Kualifikimet e kërkuara përkojnë me kriteret për emërimin në postet më të larta gjyqësore.

Duke marrë në konsideratë rëndësinë e integritetit profesional e moral, si dhe pastërtinë e figurës së gjyqtarëve dhe prokurorëve në sistemin e drejtësisë shqiptare, por edhe të përfaqësuesve shqiptarë në trupat ndërkombëtarë gjyqësorë, në përputhje me Kushtetutën dhe legjislacionin në fuqi, aplikantët për pozicionin e gjyqtarit të ri të Shqipërisë në GJEDNJ iu nënshtruan parimeve të kontrollit, që përbëjnë shtyllat e procesit të rivlerësimit (Vetting-ut), konkretisht: kontrollit të vlerësimit të pasurisë, kontrollit të figurës dhe vlerësimit të aftësive profesionale, në bashkëpunim me institucionet përgjegjëse.

Me urdhër të Sekretarit të Përgjithshëm të Këshillit të Ministrave, u ngrit komisioni ad-hoc për përzgjedhjen e kandidatëve, me qëllim rekomandimin e kandidatëve më të kualifikuar, me

Kryetar Komisioni, Artur Metani – Drejtor i Departamentit Rregullator dhe të Përputhshmërisë, Kryeministria; Anëtarë të Komisionit: Skënder Kaçupi – Përgjegjës i Departamentit të së Drejtës Penale, Fakulteti i Drejtësisë, Universiteti i Tiranës; Kestrin Katro – Zëvendësdekan, Fakulteti i Drejtësisë, Universiteti i Tiranës; Majlinda Dhuka – Drejtor i Departamentit të Zhvillimit dhe Mirëqeverisjes, Kryeministria; Armand Skapi – Drejtor, Drejtoria e të Drejtës Ndërkombëtare dhe Evropiane, Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme.

Pas shqyrtimit të dosjeve dhe verifikimit të përmbushjes së kritereve të kërkuara, aplikantët u ftuan në fazën e intervistës së strukturuar, sipas një formati të standardizuar pyetjesh që synonin evidentimin e shkallës së motivimit të aplikantëve për pozicionin e gjyqtarit të Shqipërisë në GJEDNJ, por edhe kontrollin e njohurive të tyre rreth Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, jurisprudencës së GJEDNJ-së dhe mënyrës së organizimit dhe funksionimit të GJEDNJ-së.

Disa nga pyetjet e drejtuara secilit aplikant ishin prezantoni shkurt përvojën tuaj profesionale dhe ndaluni te veprimtaria juaj në fushën e të drejtave të njeriut (nëse keni). Cila është arsyeja kryesore që aplikoni për këtë pozicion? Cilat janë shkaqet e papranueshmërisë së ankesës nga GJEDNJ-ja? Si e interpretoni nenin 2, të KEDNJ-së, “E drejta për jetën”?
“E drejta e njeriut për jetën mbrohet me ligj …” Cili është detyrimi i palës së lartë kontraktuese në kuadër të respektimit të kësaj të drejte? A është shteruese lista e përjashtimeve në të cilat privimi nga jeta mund të quhet në përputhje me këtë nen? Në kuadër të nenit 8 të KEDNJ-së, që është e drejta për respektimin e jetës private dhe familjare, cili është interpretimi që GJEDNJ-ja i ka bërë nocionit të fjalës “shtëpi”? Cilat janë rrethanat kur Dhoma e Madhe ushtron juridiksionin e saj? A mundet një gjyqtar i GJEDNJ-së të marrë pjesë në gjykimin e një çështjeje që lidhet me vendin e tij (shtetin nga vjen)? Zgjidhni të prezantoni shkurt një nga vendimet e GJEDNJ-së që ju ka bërë përshtypje si profesionist i së drejtës.

Për kryerjen e këtij procesi nën rrethana transparence të plotë, çdo aplikant u ftua të nënshkruante një deklaratë nëpërmjet së cilës shprehte vullnetin për të regjistruar ose jo intervistën me audio digjitale.

Gjatë intervistës u testuan edhe njohuritë e gjuhës së huaj nëpërmjet zhvillimit të një pjese të saj (3 nga 7 pyetjet e përzgjedhura) në njërën nga gjuhët zyrtare të Këshillit të Evropës (anglisht ose frëngjisht).

Komisioni bëri vlerësimet e tij për çdo kandidat bazuar në një sistem pikëzimi prej 100 pikësh në total, më një përkatësi prej 30 pikësh për dosjen e çdo aplikanti dhe 70 pikësh për intervistën.

Numri i aplikantëve që përmbushnin kriteret e shpallura në njoftimin për aplikim ishte 16 (gjashtëmbëdhjetë).

Komisioni ad-hoc, në përfundim të procesit përzgjedhës, pas vlerësimit të aplikantëve, rekomandoi listën me 3 kandidatë për pozicionin e gjyqtarit të Shqipërisë në GJEDNJ, Darian Pavli; Marjana Semini dhe Sokol Berberi.

Darian Pavli është jurist me 15 vjet përvojë në disenjimin, koordinimin dhe zbatimin e aktiviteteve që promovojnë mbrojtjen e të drejtave të njeriut në Nju-Jork, Tiranë (Open Society Justice Initiative, Human Rights Ëatch), përfshirë rajonin e Këshillit të Evropës, ekspert ligjor pranë EURALIUS V, këshilltar i Komisionit të Posaçëm Parlamentar i Reformës në Drejtësi, përfaqësim të disa çështjeve në GJEDNJ.

Marjana Semini është juriste me përvojë të spikatur në fushën e së drejtës; mbajtëse e titullit “Profesor i asociuar”, profesore e brendshme në Shkollën e Magjistraturës për 20 vjet dhe drejtore e saj (2009-2013), eksperte e lartë e Komisionit të Reformës Ligjore, si dhe e organizatave të huaja (USAID, BB, UNESCO, BERZH etj.), specializime për të drejtat e njeriut, autore dhe bashkautore e disa botimeve.

Sokol Berberi është jurist me përvojë të spikatur në fushën e së drejtës, anëtar i Gjykatës Kushtetuese (prill 2007 – shtator 2016), mbajtës i titullit “Doktor”, profesor në disa disiplina të së drejtës, kontribuues në përafrimin e legjislacionit shqiptar me Konventën Evropiane të të Drejtave të Njeriut etj..

Të tre kandidatët e rekomanduar iu përgjigjën me shumë saktësi të gjitha pyetjeve të drejtuara nga komisioni ad-hoc gjatë intervistës, në gjuhën shqipe dhe në anglisht, duke spikatur për njohje të thelluar të jurisprudencës së GJEDNJ-së, mënyrës së funksionimit të GJEDNJ-së dhe rolit të gjyqtarit në GJEDNJ.

Lista me tre kandidatët u dërgua për konsultim, mbi përshtatshmërinë e kandidatëve, pranë Panelit Këshillues të Komitetit të Ministrave të Këshillit të Europës.

Pas realizimit të fazës konsultative me Panelin Këshillues të Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës, Këshilli i Ministrave propozon, për pozicionin e gjyqtarit të Shqipërisë në GJEDNJ, listën me 3 kandidatët Darian Pavli; Marjana Semini dhe Sokol Berberi.

Kjo listë i dërgohet Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, për procedura të mëtejshme.

Lista është konsultuar edhe me ekspertë të Këshillit të Europës.

/gj.mima/ j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.