FOTO / “Sokaku i të Marrëve” gjallëron Gjirokastrën me 4500 spektatorë

TIRANË, 24 korrik /ATSH/ – Ansambli i Këngëve dhe Valleve Popullore ndaloi këtë të shtunë në Gjirokastër, ku rreth 4500 spektatorë ndoqën premierën absolute “Sokaku i të Marrëve”, më këngë e valle të Jugut.

“Mirënjohje të gjithë artistëve të trupës së AKKVP që ndezën sonte zjarrin artistik në Gjirokastër, duke e kthyer ‘Sokakun e të marrëve” në sokakun më të bukur në botë”, – u shpreh ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, e pranishme në këtë premierë.

Iso-polifonia dhe vallet tradicionale kumbuan në Gjirokastër, duke nisur nga shtëpia shekullore e Skëndulatëve e deri tek Bashte Teqeja, ku këngët, vallet e traditat shqiptare tërhoqën vëmendjen e turistëve të shumtë që po kalojnë pushimet në qytetin e gurtë.

Kalendari turistik veror 2018, hartuar nga Ministria e Kulturës, në bashkëpunim me institucionet artistike në vend, TKOB, AKKVP, Teatri i Kukullave, Cirku Kombëtar, AQSHF dhe skenën e pavarur, bën bashkë trashëgiminë dhe kulturën, me gjithëpërfshirje nga Jugu në Veri, duke i kthyer skenat e hapuara të trashëgimisë dhe sheshet e qyteteve në skena artistike, në një komunikim të gjallë me publikun.

Kalendari përfshin rreth 70 shfaqje në zonat bregdetare nga Velipoja në Dhërmi, nga Shëngjini në Korçë, nga Shkodra në Gjirokastër e Ksamil./a.a/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.