AZHBR trajnon fermerët të përfitojnë nga grantet konkurruese për pyjet

TIRANË, 24 korrik /ATSH/- Agjencia e Zhvillimit Bujqësor dhe Rural (AZHBR) dhe Shërbimet Mjedisore në Vlorë, po zhvillojnë trajnimin me grupet e interesit për Manualin Operacional të Granteve Konkurruese, “Masa për Krijimin dhe Mbrojtjen e Pyjeve 2018”, me qëllim që t’i ndihmojnë ata të përgatisin projekte konkurruese, për të përfituar financim nga këto grante.

Në një postim në rrjetin social “Facebook”, AZHBR njofton se është hapur thirrja e dytë për grupet dhe fermerët që duan të ndërmarrin projekte zhvillimore në sektorin e pyjeve dhe kohëzgjatja për aplikimet do të jetë deri në datën 10 shtator 2018″.

Grantet për mbrojtjen e pyjeve, pasojnë serinë e financimeve që qeveria në bashkëpunim me donatorët po adresojnë në mbështetje të fermerëve dhe grupeve të interesit për zhvillimin e bujqësisë dhe mjedisit në vendin tonë.

Në dallim nga thirrja e parë, në dispozicion të thirrjes së dytë është 70% e fondit që do të shkojë në favor të aktiviteteve të pyllëzimit, për të qenë në koherencë me vizionin e qeverisë për të shtuar sipërfaqet e gjelbra dhe 30% e fondit për aktivitete si, masat parandaluese ndaj fenomeneve të erozionit, lera uji për bagëtinë, etj.

Aplikantët që propozojnë aktivitete pyllëzimi do të kenë më shumë mundësi të shpallen fitues sepse shihet si një aktivitet favorizues dhe i rendit këta aplikantë në pozita shumë të favorshme. e.xh/ j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.