KINË – Pekini kërkon sanksione të ashpra pas skandalit të vaksinave

SHANGAI, 23 korrik /ATSH-AFP/ – Kryeministri kinez, Li Keqiang kërkoi sanksione të ashpra dhe tolerancë zero, pas një skandali tjetër të vaksinave që ka përfshirë kompanitë farmaceutike të vendit.

Autoriteti i Rregullimit të Medikamenteve dhe Ushqimeve (CFDA) njoftoi dje se kishte ndërprerë prodhimin e një vaksine kundër tërbimit nga kompania “Changchun Changsheng”, pasi kishte zbuluar të dhëna të falsifikuara dhe probleme të tjera gjatë inspektimit.

“Firma ka kaluar linjat e kuqe të etikës”, denoncoi Li Keqiang.

Ai njoftoi krijimin e një komisioni qeveritar hetimi për të hedhur dritë mbi praktikat e gjithë industrisë.

“Pak rëndësi ka se kush janë kompanitë apo personat e përfshirë, ato do të bëhen objekt i sanksioneve të ashpra dhe tolerancës zero”, shtoi ai në një komunikatë të publikuar në faqen e internetit të qeverisë.

Kjo çështje ka shkaktuar një lumë artikujsh dhe komentesh në rrjetet sociale, pasi pjesa më e madhe e cilësojnë industrinë farmaceutike kombëtare të dobët.

Ajo është përfshirë në një seri skandalesh që kanë rritur frikën dhe nervozizmin e opinionit publik mbi sigurinë e ushqimit dhe medikamenteve./ /ec/ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.