Investimet e huaja në Shqipëri, 62% rritje në 3-mujorin e parë të vitit

TIRANË, 23 korrik /ATSH/- Ministrja e Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes, Sonila Qato deklaroi se investitorët e huaj nuk hezitojnë për të ardhur në Shqipëri dhe se numri i tyre është rritur.

Në një intervistë televizive, ministrja Qato dha një përgjigje për tërë frikërat që kanë qarkulluar së fundmi në medie se Shqipëria rrezikon që nga njëri vit, në tjetrin të përballet me sfidën e zvogëlimit të investimeve të huaja direkte në kushtet kur dy projektet e mëdha të energjisë (TAP dhe Devolli) po kompletohen.

Ju garantojmë se investimet janë vetëm në rritje, tha ajo.

“Fakti që në 3-mujorin e parë të 2018 është shënuar një rritje me 62% e investimeve të huaja, thotë që nuk jemi në këto kushte dhe kjo tregon se nuk ka hezitim nga të huajt. Investimet e huaja nuk kanë rënë dhe Tap nuk është i vetmi investitor dhe nuk e prish bilancin”, – theksoi ministrja e Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes Sonila Qato.

Pak ditë më parë ishte raporti i Komisionit Europian, ai që dha vlerësime mbi ecurinë e investimeve të huaja në Shqipëri krahasuar me vendet e rajonit.

“Të hyrat e Investimeve të Huaja Direkte pritet që të financojnë plotësisht deficitin e llogarisë korrente. Përgjatë 10 viteve të fundit investimet e huaja direkte kanë financuar 76 për qind të deficitit të llogarisë korrente. Në 12 muaj, deri në shtator 2017, IHD-të neto tejkaluan deficitin me 41 për qind ndërkohë që ndërtimi i dy projekteve të mëdha në fushën e energjisë shënoi kulmin. Në Programin e Reformave Ekonomike parashikohet që Investimet e Huaja Direkte do të mbeten të forta dhe do të tejkalojnë deficitin e llogarisë korrente me rreth 20 për qind në çdo vit të programit. Ky Program i Reformave Ekonomike njeh faktin që të ardhurat nga Investimet e Huaja Direkte që lidhen me dy projekte gati në përfundim do të zvogëlohen por duket se pret pa ndonjë diskutim që kjo do të kompensohet nga projekte të reja të Investimeve të Huaja Direkte. Gjithsesi, suksesi i Shqipërisë në tërheqjen e investimeve të huaja në vitet e fundit ka qenë gjerësisht i përqendruar në industri me bazë tek burimet natyrore dhe të patregtueshme”, thuhet në raport. Lidhur me këtë aspekt Komisioni vlerëson se këto lloj investimesh mbartin me vete riskun që të shterrin, ndërkohë që propozon që Shqipëria të fokusohet tek investime që paraqesin vlerë të shtuar dhe e përfshijnë atë në zinxhirin global të furnizimit”, citon ndër të tjera raporti i KE-së. e.xh/ j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.