Basha: Magjistratura si shkollë partie, nuk e zgjidh krizën në drejtësi

TIRANË, 23 Korrik /ATSH/ -“Kapja e qeverisë nga krimi, kapja e drejtësisë nga qeveria dhe kriza ekonomike janë tre sfidat kryesore që po përballet sot vendi”, u shpreh sot kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Lulzim Basha.

Në një konferencë për mediat, Basha foli edhe për ligjin e Magjistraturës, duke u shprehur se mazhoranca e ka kapur këtë shkollë, e cila mund të quhet tashmë një shkollë partie.

“Ligji për magjistraturën është maturuar vetëm me votat e mazhorancës, në mënyrë të tillë që pasi ta kapnin këtë shkollë, asnjë parti tjetër të mos ndërhynte. Ajo është tani një shkollë partie. Ky është një institucion i kapur totalisht nga Edi Rama. Njerëz të lidhur me PS prej një apo dy brezash. Me këtë synohet një kapje afatgjate e sistemit”, tha Basha.

“Në vitet 1992-1993 në Durrës në zonën e Plepave u zhvilluan studime për gjyqtarë dhe prokurorë dhe prej vitesh një pjesë e politikës iu referohej si gjyqtarë plepash. Sot Edi Rama po kërkon të bëjë të njëjtën gjë, por në kushte shumë më skandaloze në kushtet e një kapjeje të sistemit të drejtësisë. Siç tha deputeti Shehi në mbledhjen e grupit, gjyqtarët e shelgjeve”, theksoi Basha.

Më tej, Basha u shpreh se Magjistratura nuk e zgjidh krizën e sistemit të drejtësisë.

“Nëse e japim votën për ndryshimet në Ligjin për Magjistraturën a e zgjidh kjo problemin Gjykatës Kushtetuese? A e zgjidh problemin e KLGJ dhe KLP? A e zgjidh kjo faktin që nuk kemi ende SPAK apo BKH? Jo. A e zgjidh kjo faktin që reforma në drejtësi është shndërruar në kënetë? Jo Dhe përgjegjës për këtë nuk është e opozitës e cila për 2 vite me radhë dha qindra mijëra orë energji, ekspertizë, njerëz. Të cilës iu garantuan që 6 ligjet do të kaloheshin me amendamentet e saj, por më pas u hodhën poshtë”, tha Basha.

“Reforma në drejtësi u kthye në kënetë, ka ngecur në llum. Po të kishim reformë, Saimir Tahiri do ishte në burg. Ramës nuk i intereson një reformë në drejtësi e pakapur. Të tjerat janë pallavra. Rama po kthen në fenomen shkollën e plepave. KPK me dy standarde. Qytetarët shqiptarë ta dinë qëndrimin tim. Ne jemi në kolaps total të reformës në drejtësi. T’i qëndrojmë konsensusit të 2 viteve më parë, të zhbëjmë të gjitha veprimet e njëanshme të mazhorancës”, tha Basha.

Basha foli më tej edhe për kërkesat dhe qëndrimet e PD. “Ti qëndrojmë besnik konsensusit të 21 dhe 22 qershorit 2016. Zgjidhja e situatës së paligjshmërisë në organin e prokurorisë, duke i dhënë fund kapjes politike të Prokurorit të Përgjithshëm. Zgjidhja e situatës së paligjshmërisë të zgjedhjes së KLGJ dhe KLP. Ky proces është i pavlefshëm bazuar në ligj, pasi këta anëtarë duhet të zgjidhen në bazë të Kushtetutës. Zgjidhje urgjente e ngërçit në Gjykatën Kushtetuese”, u shpreh Basha.

/gj.mima/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.