TIRANË, 22 Korrik /ATSH-Gjergji Mima/ – GIZ në bashkëpunim me BE-në, ka ndihmuar në përgatitjen e administratës shqiptare për të menaxhuar dhe shpërndarë fondet IPARD. Tani autoritetet shqiptare janë akredituar për të menaxhuar këtë fond prej më shumë se 70 milionë euro nga BE dhe së bashku me më shumë se 20 milionë euro nga qeveria shqiptare thirrja e parë për aplikime do të fillojë brenda tremujorit të tretë të këtij viti.
Drejtori i GIZ për Shqipërinë, Hans-Jurgen Cassens deklaroi në një intervistë për Agjencinë Telegrafike Shqiptare se, “bujqësia është një sektor ku kemi punuar për më shumë se 20 vite në projekte dhe programe të ndryshme në perspektiva dhe situata të ndryshme. Së fundmi kemi përfunduar programin që mbështeste qeverinë shqiptare për akreditimet për menaxhimin e fondeve IPARD. Pra nga shtatori i këtij viti do të jenë mbi 70 milionë euro të fondeve të BE-së plus 20 milionë euro nga fondet shqiptare për fermerët në mënyrë që të zhvillojnë aktivitetin e tyre”.
“Mendoj se ministria e Bujqësisë do të çelë thirrjen e parë të aplikimeve në shtator dhe shpresojmë që kjo të jetë një ndihmë e madhe për zhvillimin e bujqësisë shqiptare. Ky është një projekt në bashkëpunim me BE-në”, u shpreh Cassens.
Cassens theksoi se përveç kësaj, së bashku me fondet nga qeveria e Danimarkës, GIZ po mbështet fermerët më të vegjël dhe sipërmarrësit ruralë përmes ndërtimit të kapaciteteve dhe granteve për investime që të rrisin produktivitetin e tyre. “Kur ky program të përfundojë deri në dhjetor 2018, do të kemi mbështetur më shumë se 400 fermerë me një vëllim total prej 6.3 milionë euro, duke kontribuar në investime rreth 10 milionë euro”.
Ne, tha ai, “gjithashtu po punojmë në një projekt në bashkëpunim me qeverinë daneze që ndihmon fermerët e vegjël në zonat malore për të rritur produktivitetin e tyre. Ne e bëjmë këtë përmes thithjes së granteve për investimet e tyre dhe ndërtimit të kapaciteteve sepse sigurisht bujqësia është ende sektori që ka një potencial të madh për konkurrueshmëri dhe më shumë punësim”. /j.p/
