Basha: Ligji për Teatrin Kombëtar, atentat ndaj shtetit ligjor

TIRANË, 20 Korrik /ATSH/ -Kryetari i opozitës, Lulzim Basha, në një bashkëbisedim me gazetarët foli sot për projektin e ndërtimit të Teatrit të ri Kombëtar duke theksuar se “ligji special Rama-Fusha shpk është atentat ndaj shtetit ligjor”.

Basha tha se “historia për Teatrin ka nisur 20 vjet më parë. Dhe duhet t’ua themi 18-vjeçarëve se 20 vjet më parë Edi Ramë nisi procesin për të shkatërruar Teatrin Kombëtar dhe që u ndal me vullnet politik dhe ishin kryeministra socialistë”.

“Tani ka hedhur hapat për të realizuar ëndrrën e tij. Është projekt mafioz pasi janë mbi 205 milionë euro, një shumë që nuk ta rrok mendja, më shumë se buxheti i mbrojtjes i vendeve të NATO-s dhe po ashtu edhe një çështje inferioriteti, urrejtje ndaj artistëve. Pasi ka shkatërruar tre palë zgjedhje, ka kapur Prokurorinë e Përgjithshme, çdo media pa përjashtim, pasi ka vënë të gjitha asetet publike me PPP dhe tendera korruptiv në duart e 5 klientëve të tij. Pse e themi këtë? Nëse lejojmë një ligj special për të shkatërruar një pronë publike dhe për t’ia dhënë një aktori të dyshuar 205 milionë euro pa gara, ky njeri nesër mund të bëjë gjithçka”, tha Basha.

Gjithashtu kryetari i opozitës i ka dërguar një paralajmërim kompanisë ndërtuese në Teatrin Kombëtar.

“Ne kemi paralajmëruar arkitektin Bjorke Ingels se do të shpallet “non grata” në Shqipëri, dhe sot dua t’i çoj një paralajmërim të qartë kompanisë Fusha shpk dhe çdo kompanie tjetër që bëhet vegël përmes koncensioneve në procesin e grabitjes së shqiptarëve. Asnjë shans! Çdo veprim i Fusha shpk dhe çdo entiteti tjetër, do të jetë subjekt i një ligji të amenduar antimafia do të fillojmë që nga dita e parë dhe do të sekuestrojmë çdo qindarkë, çdo cent, euro për shkeljet që do t’ju konstatojmë. Sikundër nëse guxoni t’i vini minat Teatrit Kombëtar të jeni të sigurt se minat do t’u vëmë dhe kullave tuaja me ligj. Ky paralajmërim vlen edhe për ndonjë bankë që mendon se mund të investojë në këtë projekt megjithëse mendojmë se paratë janë të Toyota Yaris”, tha Basha.

/gj.mima/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.