Basha: Konsensusi për reformën zgjedhore, nuk e zgjidh problemin e zgjedhjeve

TIRANË, 20 korrik/ATSH-Gjergji Mima/ – “Prioriteti kryesor i reformës zgjedhore është procesi, pra aspekti i administrimit zgjedhor që është identifikimi biometrik, votimi elektronik dhe numërimi elektronik”, – u shpreh sot kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, në një bashkëbisedim me gazetarët.

“Kjo është e vetmja mënyrë sesi mund të shkojmë drejt largimit të bandave nga qendrat zgjedhore sepse në këtë moment është e panevojshme të kemi komisione të fryra me militantë që shndërrohen në rastin e PS në banditë lokalë me lidhje të drejtpërdrejta me qendrën dhe kryeministrin”, – shtoi Basha.

“Por edhe po të arrihet një konsensus i tillë, nuk e zgjidh problemin e parave të drogës dhe të krimit. Janë këto para të pista dhe sistemi i parave nga krimi që shkatërrojnë vullnetin e votuesve që në fillim, ndërkohë që ne merremi fundin e procesit”, – tha Basha.

Natyrisht, nënvizoi Basha, “një komponent i rëndësishëm është reforma e financimit të partive politike dhe fushatave zgjedhore. Por ne kemi ligje shumë të mira, problem është zbatimi i tyre. Zbatimi është çështje vullneti. Prandaj ju them që prioritare për PD dhe për aleatët tanë është shkëputja e lidhjeve mes krimit dhe qeverisë. Pa ndodhur kjo çdo reformë do të mbetet fjalë të bukura në letër, por shqiptarët nuk do t’ia shohin hajrin”. /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.