Gjyqtarët e shkarkuar nga Vetting-u, Zaganjori urdhër për zhbllokimin e ngërçit

TIRANË, 19 korrik/ATSH/ – Kryetari i Gjykatës së Lartë, Xhezair Zaganjori ka nxjerrë një urdhër për gjyqtarët e shkarkuar nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit.

Urdhri në fjalë i hap rrugën vijimit të proceseve gjyqësore të lëna hapur nga gjyqtarët e shkarkuar nga KPK, pasi nuk kanë kaluar Vetting-un.

Sipas urdhrit nr 193, datë 17 korrik 2018, të bazuar në ligjin “Për vlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, sqaron që, gjyqtarët e shkarkuar nga detyra nga KPK të mos marrin pjesë tek asnjë proces gjyqësor të cilin e kanë pasur në ngarkim, deri në vendimin përfundimtar të Kolegjit të Apelit.

Gjithashtu në vendim sqarohet se, këto çështje do të vijojnë normalisht shqyrtimin përmes një trupe gjyqësore të re, që do të caktohet me short. Po ashtu, Zaganjori, përmes këtij urdhri, ngarkon punonjësit e IT, të heqin nga sistemi elektronik i shortit, gjyqtarët e shkarkuar. /e.caushi/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.