FUTBOLL – “Liverpool” gati të blejë Alisson për 75 milionë euro

ROMË, 19 korrik /ATSH-AFP/ – Portieri brazilian Alisson (i klubit të Romës) pritet të nënshkruajë një kontratë prej pesë vitesh me “Liverpool” për një vlerë prej 75 milionë eurosh, një shifër rekord kjo për një portier, njoftoi media europiane dje në mbrëmje.

“Një njoftim zyrtar pritet të bëhet gjatë 48 orëve në vijim”, shkruan “Liverpool Echo” duke theksuar se portieri 25-vjeçar ndërpreu pushimet e tij për të shkuar në Liverpul dhe për të zhvilluar kontrollet mjekësore.

Nga ana tjetër, faqa e internetit “Forza Roma”, që i përket së përditshmes “La Gazzetta Dello Sport”, publikoi një video në të cilën shihet Alisson në aeroportin “Rome Ciampino”.

Në këtë video, Alisson jep një mesazh për tifozët romanë: “Përshëndes fansat e Romës. Më vjen keq, por nuk mund të tregoj më shumë. Do ju them gjithçka më vonë”.

Në rast transferte, Alisson do të thyejë rekordin për blerjen e një portieri, që mbahet nga Ederson, që kaloi nga “Benfica” tek “Manchester City” për 40 milionë euro verën e kaluar. /G.S/ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.