“Shqipëriaqëduam.al”, zgjidhje të riut korçar për njësimin e diplomës

TIRANË, 18 korrik /ATSH/- Në takimin javor me koordinatorët e platformës së Bashkëqeverisjes, ku ishte i pranishëm kryeministri Edi Rama, një i ri nga Korça tregoi se pas dy vjet sorollatjeje për njësimin e diplomës së tij, mori zgjidhje vetëm pas denoncimit të këtij problem në portalin “shqipëriaqëduam”.

Majk Ilia, tregoi se kishte mbarur para tre vitesh Universitetin Politeknik “Aristoteli” në Selanik dhe ishte kthyer në Shqipëri për të kontribuar në vendin e tij. Por siç u shpreh Majku, gjërat nuk shkuan ashtu siç kishte parashikuar ai.

“Diploma ime nuk njësohej dhe të njihej si master shkencor, megjithë përpjekjet që bëra duke kërkuar zgjidhje”, tha ai.

Majku tregoi se pasi mori informacion në qendrën e llogaridhënies Korçë, u regjistrua në platformën e Bashkëqeverisjes dhe adresoi problemin në fjalë. “Brenda dy ditësh mora një email, ku thuhej se diploma ime ishte shqyrtuar dhe njësuar me nivelin e masterit shkencor. Ju jam mirënjohës, dhe shpresoj që kjo praktikë të ndihmojë dhe studentët e tjerë”, tha Majku.

Kryeministri Rama, duke marrë fjalën tha se, “po e vazhdoj aty ku e përfundoi Majku, sesi njerëzit duke kërkuar zgjidhje për një hall të tyre, ndihmojnë edhe të tjerët”.

Por platforma, tha kryeministri, nuk është vetëm kaq, ka dhe plot raste kur qytetarët i adresohen me përgjegjshmëri qytetare dhe jo thjesht për një hall të tyre ose edhe për ndonjë padrejtësi që shohin rreth e rrotull, ose për një problem komunitar”, u shpreh Rama. e.xh/ j.p./

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.