Merr zgjidhje furnizimi me ujë të pijshëm në dy lagje të kryeqytetit

TIRANE, 18 korrik /ATSH/ -Bashkia e Tiranës realizoi këtë javë një investim të ri në rrjetin e ujësjellësit që përmirëson parametrat e furnizimit me ujë të pijshëm të qytetarëve duke garantuar edhe cilësinë e duhur për ta përdorur atë.

Banorët e rrugës “Idriz Dollaku” kanë tashmë një rrjet tërësisht të ri duke eliminuar problematikat e shumta që shfaqte rrjeti i vjetër i amortizuar ndër vite.

Gjithashtu, grupet e punës kanë punuar paralelisht edhe për riparimin e një defekti në rrjetin e shpërndarjes së ujit të pijshëm që u sinjalizua nga banorët e rrugës “Selitë e Vjetër”. Ndërhyrja u krye shpejt për ta përfunduar në kohë sa më të shkurtër defektin e sinjalizuar. Tashmë linja e furnizimit është në funksion të plotë dhe banorët përfitojnë furnizim normal të ujit të pijshëm. /e.malaj/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.