Berati i jep titullin “Qytetare Nderi” Presidentes kroate Grabar-Kitaroviç

TIRANË, 18 korrik/ATSH/- Presidentja kroate, Kolinda Grabar Kitaroviç u shpall sot qytetare nderi e qytetit të Beratit.

Në mbledhjen e zhvilluar sot Këshilli bashkiak i këtij qyteti miratoi dhënien e titullit “Qytetare Nderi” Presidentes së Kroacisë, Kolinda Grabar Kitaroviç.

Presidentja Grabar-Kitaroviç nis sot vizitën zyrtare në vendin tonë me ftesë të Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta.

Ajo do të pritet me ceremoni shtetërore nga Presidenti Meta, Kryeministri Edi Rama dhe Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi dhe do të mbajë një fjalë përshëndetëse para deputetëve në Kuvendin e Shqipërisë.

Gjithashtu Presidentja e Kroacisë gjatë qëndrimit në Tiranë do të takohet edhe me kryetarin e Partisë Demokratike, Lulzim Basha, si dhe me kreun e bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj. /a.gjonaj/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.