Agjencia Telegrafike Shqiptare

Teuta vijon merkaton, pas portierit Hidi afron mesfushorin Deliu nga kampionati kroat

TIRANË, 17 Korrik /ATSH/ -Teuta e Durrësit duket se është skuadra më aktive në merkaton verore në Kategorinë Superiore.

Pasi prezantoi portierin me eksperiencë Isli Hidi, Teuta ka njoftuar sot afrimin e një tjetër futbollisti që do të përforcojë edhe më shumë organikën e trajnerit Blendi Shkëmbit

Bëhet fjalë për mesfushorin 21-vjeçar durrsak, Ardit Deliu, i cili tani e mbrapa do të japë kontributin e tij për skuadrën e qytetit të lindjes.

Deliu ka lindur në Durrës më 26 tetor 1997 dhe ka debutuar në futbollin profesionist shqiptar në moshën 17-vjeçare me Besen.

Ardit Deliu, rikthehet në Superiore pas tre vitesh eksperiencë në Kroaci. Ai ka luajtur për dy vite te RNK Split, ndërkohë që sezonin e fundit i është bashkuar Hajduk Spilitit, ku është aktivizuar në ligën e dytë të futbollit kroat gjatë sezonit 2017-18.

Deliu ka luajtur edhe për kombëtaret e moshave të Shqipërisë, ku vijon te jetë ende pjesë e ekipit të Shqipërisë U-21.

/gj.m/ /a.g/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Exit mobile version