Raporti i BSH-së, debate në komisionin e Ekonomisë

TIRANË, 17 korrik/ATSH/- Komisioni parlamentar i Ekonomisë dhe Financave u përfshi në debate gjatë të martës lidhur me burimin e financimit të sektorit të ndërtimit, teksa në rendin e ditës parashikohej diskutimi i tre pr/ligjeve që lidhen me ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, eficiencën energjetike, si dhe për projektin e modernizimit të asistencës sociale.

Nënkryetarja e Komisionit të Ekonomisë dhe Financave, njëkohësisht deputete e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku duke iu referuar një raporti të publikuar në media, ku thuhej se nga sektori i mbikëqyrjes pranë Bankës së Shqipërisë është evidentuar se në disa raste nuk disponohen dokumente që provojnë burimin e fondeve, hodhi akuza për përdorimin e parave të drogës në ekonomi.

Tabaku theksoi se opozita e ka ngritur këtë shqetësim prej kohësh për sektorin e ndërtimit dhe turizmit, ndërsa kërkoi vënien në dispozicion të këtij raporti.

Por, Kryetari i Komisionit të Ekonomisë dhe Financave, Erjon Braçe hodhi poshtë pretendimet e Tabakut mbi ekzistencën e një raporti konfidencial të Bankës së Shqipërisë.

Sipas tij, ka vetëm një raport që është publik në faqen e Bankës së Shqipërisë dhe është ai i mbikëqyrjes, ndërsa u shpreh se të dhënat dhe konkluzionet e nxjerra nga Tabaku janë të gabuara. “Raporti i mbikëqyrjes së Bankës së Shqipërisë nuk i ka ato konkluzione që ju thoni e citoni”, – deklaroi Braçe.

Braçe, po ashtu duke iu referuar pretendimeve të deputetes Tabaku, kërkoi thirrjen në një seancë dëgjimore të Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë.

Deputetja Tabaku duke iu referuar këtij raporti të publikuar në media theksoi se hyrjen e  parave të pista në ekonomi e demonstron më së miri edhe kontrata me kompaninë “Fusha” që ka mbërritur në Parlament.

Por sërish kreu i Komisionit, Braçe hodhi poshtë këtë pretendim, ndërsa e konsideroi qëndrimin e deputetes Tabaku pa kuptim.

“Të lidhësh raportin e mbikëqyrjes së Bankës me leximin tuaj, me ligjin që ju e quani “Fusha” nuk ka sens. Të thuash se me atë ligj po pastrohen para, kur ai ligj krijon thjesht mundësinë për të hyrë e trajtuar një ofertë që iu është paraqitur institucioneve përgjegjëse, si në këtë rast bashkisë së Tiranës, është e tepërt”, – deklaroi Braçe.

Braçe i ka kërkuar Kuvendit që në veprimtarinë e Komisionit të Ekonomisë të përfshihet edhe parandalimi dhe pastrimi i parave, por sipas tij, nëse anëtarët e Komisionit nuk janë të qartë mbi këtë çështje është e kotë kjo kërkesë.

“Unë vërtet kërkova që ky Komision të ketë në fushën e vet të veprimtarisë edhe çështjen e parandalimit dhe pastrimit të parave, por nëse e mendoni pastrimin e parave në këtë formë, më mirë të mos kalojë në kompetencë të Komisionit kjo çëshje, të rrijë atje ku ka ekspertë, në Komisionin e Sigurisë Kombëtare”, deklaroi kreu i Komisionit. /a.gjonaj/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.