Panucci: Largimi nga “Reali” ishte gjëja më e marrë që kam bërë në karrierë

TIRANË, 17 korrik/ATSH / Trajneri i tanishëm i kombëtares sonë të futbollit, Cristian Panucci pranoi se largimi nga “Reali i Madridit” ishte gabimi më i madh i karrierës së tij si futbollist.

Ndërsa duke diskutuar për transferimin e Cristiano Ronaldos te “Juventusi”, ai beson se portugezi ka kualitetin e duhur për të pasur sukses kudo që të shkojë.

“Ai do të triumfojë, sepse është shumë i mirë”, deklaroi Panucci për radio Spanjën.

“Histeria mbi largimin e tij është normale, pasi ai është më i miri në botë. Është një biznes i madh dhe transferimi i tij do t’u japë shtysë edhe lojtarëve të tjerë të mëdhenj për të shkuar në Itali”.

“U largova me dëshirë nga Madridi dhe ishte gjëja më e marrë që kam bërë në karrierën time sportive. Tani më vjen keq, por atëherë mendoja se kisha të drejtë”. /marca//r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.