​Kosovë/ FSK pajiset me automjete ushtarake të prodhuara në SHBA

TIRANË, 17 korrik/ATSH/ – Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) do të pajiset me 51 automjete shumëfunksionale ushtarake të lëvizshmërisë së lartë, të cilat njihen si HMMWV dhe do të blihen nga Qeveria e Kosovës.

Blerja e këtyre automjeteve ushtarake do të bëhet nga kompania amerikane “AM General” dhe nënshkrimi i marrëveshjes është bërë gjatë ditës së sotme.

Me rastin e nënshkrimit të kontratës, Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka thënë se FSK po modernizohet me teknikë ushtarake.

Kreu i Qeverisë ka folur edhe për transformimin e FSK-së në ushtri, ku ka thënë se transformimi do të ndodhë në koordinim dhe me mbështetje të aleatëve të Kosovës.

“Ngritja e kapaciteteve teknike të FSK-së dita-ditës tregon që kjo forcë po ngrihet sipas standardeve të NATO-së. SHBA-ja, NATO, KFOR-i janë sinonime të paqes e të sigurisë në Kosovë dhe nuk është habi që populli i Kosovës është ndër popujt më pro amerikan dhe i qëndron besnik miqësisë së përhershme me SHBA-në. Kosova është rreshtuar me ushtritë e lirisë dhe të paqes, tranzicioni i FSK-së do të bëhet në koordinim të plotë dhe me mbështetjen e aleatëve tanë strategjikë. Kosova, nga një vend që absorbon siguri, po kthehet në një vend që prodhon dhe ofron siguri dhe është e gatshme të marrë pjesë në misione paqeruajtëse kudo që aleatët tanë e shohin të nevojshme. FSK është forca e të gjithëve që jetojnë në Kosovë, e shumicës shqiptare, e komuniteteve, e serbëve, e turqve, e romëve, e gjithë qytetarëve që jetojnë në Kosovë. Si e tillë, kjo Forcë e ka besimin e të gjithëve ne në Kosovë dhe si kryetari i Qeverisë i gëzohem faktit se sot FSK po pajiset me këtë teknologji të avancuar, e të dëshmuar”, tha Kryeministri Haradinaj.

Blerjen e këtyre automjeteve ushtarake e ka mirëpritur edhe ministri i FSK-së, Rrustem Berisha, i cili është shprehur se këto automjete do të shërbejnë për përmbushje të misionit të FSK-së.

“Furnizimi me automjete taktike, të cilat do të jenë në shërbim të FSK-së, është i një rëndësie të veçantë, që ndikon drejtpërdrejtë në avancimin e kapaciteteve operacionale të FSK-së dhe me thellimin e bashkëpunimit mes SHBA-së dhe neve. Këto automjete të cilat po i prezantojmë sot kontribuojnë në modernizimin e pajisjeve të FSK-së, të cilat do të shërbejnë në përmbushjen e misionit të saj”, – tha ministri.

Ministri Berisha tha se FSK do të vazhdojë me modernizimin e saj me pajisje, të cilat do të jenë të ndërveprueshme me ushtritë e shteteve tjera aleate.

Përzgjedhjes së kompanisë amerikane për blerjen e këtyre automjeteve ju ka gëzuar ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Greg Delawie, i cili tha se nënshkrimi i kësaj kontrate i dërgon shenja tërë botës se Kosova kërkon me këmbëngulje ta dërgojë deri në fund integrimin euroatlantik.

Në ceremoninë e nënshkrimit të kontratës për blerjen e këtyre automjeteve ushtarake morën pjesë edhe komandanti i KFOR-it, Salvatore Cuocci, komandanti i Kampit Bondsteell, Nick Ducich, ambasadorë të akredituar në Kosovë, komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant, Rrahman Rama, raporton KosovaPress. /m.z/e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.