TIRANË,16 korrik /ATSH/ – Fansat e të mrekullueshmit Prince kanë kohë deri më 21 korrik për të bërë të tyret një ose më shumë objekte që i përkisnin “kukudhit” të Mineapolis-it.
Sendet e tij personale kanë dalë në ankand nga Heritage Auctions, një sajt, ku blerësit kanë mundësi t’i shohin objektet që i përkisnin artistit të famshëm.
Mes sendeve me vlerë gjendet edhe kopja origjinale e këngës ‘Purple Rain’ që mbante vetë artisti dhe shitet me një çmim prej 1.500 dollarësh. Përsa i përket Biblës së tij (Prince ishte një dëshmitar i Jehovait), ajo nis nga 3.500 dollarë.
Në koleksion, i cili ka dalë në shitje nga ish-truproja e tij, nuk mungojnë veshjet, xhevahiret, aksesorët dhe biletat e koncerteve të tij. Gjithashtu në ankand është edhe një kostum blu mëndafshi i cili ka një çmim që fillon nga 10 mijë dollarë./a.a/j.p/
