Agjencia Telegrafike Shqiptare

Deschamps: Të bashkuar do të fitojmë!

TIRANË, 14 korrik/ATSH-ANSA/ “Për një profesionist nuk ka asgjë më të bukur, më të fortë se të jetë në gjendje të luajë në finalen e Kupës së Botës”. Kështu deklaroi trajneri i Francës Didier Deschamps në prag të ndeshjes kundër Kroacisë. Për trajnerin, çelësi për të fituar nesër do të jetë një ekuilibër mes “sigurisë, qetësisë dhe përqendrimit”. Disfata brenda në shtëpi në finalen e Euro 2016 përballë Portugalisë do të shërbejë si një mësim për ekipin.

“Nëntë lojtarë të ekipit kombëtar ishin në Europianin e fundit dhe e dinë se si përfundoi gjithçka dhe kjo përvojë shërben si një mësim. Vetëm përmes kalimit të situatave të vështira mund të përmirësohemi, – shtoi Deschamps. – Ne e dimë se Kroacia ka lojtarë me përvojë në klube të mëdha, ndërkohë që ekipi ynë është një ekip i ri, – shtoi ai. – Por gjatë turneut ne kemi treguar në mënyrë të përsëritur se mund të fitojmë edhe ndaj ekipeve me më shumë përvojë sesa ne. Modriç? Një lojtar me inteligjencë të madhe në lojë, me një ndikim të madh në ekipin e tij”. /r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Exit mobile version