Kalendari turistik veror, 70 shfaqje nga veriu në jug

92

TIRANË, 12 korrik /ATSH/ – Ke nisur pushimet?  Je në det, në mal, apo ke vendosur të vizitosh qytetet me trashëgimi mijëravjeçare? Kudo të jesh, Ministria e Kulturës ka menduar për pushimet  tuaja. Për pushime të gëzuara me art dhe kulturë.

Mbrëmjet  e verës mund t’ i kaloni duke dëgjuar Beatles, Morikone, Janis me  Opera Jeans nga artistët e mrekullueshëm të TKOB-së, në Durrës 13 korrik, ose mund të zgjidhni baletin  “Monger” në Sarandë, në 12 korrik.

Më mirë akoma mund të zbuloni fjalët magjike në Teatrin Antik me “Butrinti Summer Festival” deri më 14 korrik, mund të magjepseni nga instrumentet popullore të Zadrimës, në një natë të veçantë në Shëngjin, apo duke kërkuar ‘Kësulëkuqen’  dhe  ‘Çufon’ , që zgjojnë fantazinë e fëmijëve në sheshet e skenës së hapur verore Shëngjin, Shkodër, Përmet, Korçë, Pogradec.

Keni mall veror të dëgjoni Bach, Beethoven e Mozart?  Ju plotësojnë dëshirat virtuozët e Different Trains në 14 korrik në Pogradec dhe në 16 korrik, në Berat, Muzeu Etnografik.

Edi Hila dhe Eleni Laperi janë të hapur për një bashkëbisedim me ju  për transformimet e artit, 12 korrik, GKA.

Platforma Harabel ju mirëpret nën yje në tarracën e Pallatit të Kulturës, në 13 korrik për të shijuar filmat e DOKUFEST.

Për ata që kanë vendosur të argëtohen deri në mëngjes, eja në Fustanella DJ Party, në sokakët e Gjirokastrës, aty ku ndodh gjithçka dhe aty ku fliten të tëra… ose në sheshin më të bukur që mori jetë në Libohovë, për “Verë e Portokalle”.

Nëse nuk je gati akoma, atëhere përgatitu për festivalet e javës që vjen, nga ato festivale që mund të quhen pa frikë, Festivale kategoria A:

-Festivali  MULTIKULTUROR , Berat 19-21 korrik

-Ansambli i Këngëve dhe Valleve Popullore në ‘Sokakun e të Marrëve’  18-21 korrik

– ZÂ FEST Theth, 20-22 korrik

-KORÇA  International Short Film Festival, 17-21 korrik

-MIK Festival, Korçë, 25-29 korrik

-Vera Kulturore Maqedonase, Pustec, 25-30 korrik

Aktivitetet janë pjesë e kalendarit turistik veror 2018, hartuar nga Ministria e Kulturës, me gjithëpërfshirje nga jugu në veri, në bashkëpunim me institucionet artistike në vend, TKOB, Teatri i Kukullave, Cirku Kombëtar, AQSHF dhe skenën e pavarur, që po i kthejnë skenat e hapuara të trashëgimisë dhe sheshet e qyteteve në skena artistike, në një komunikim të gjallë me publikun.

Kalendari përfshin rreth 70 shfaqje në zonat bregdetare nga Velipoja në Dhërmi, nga Shëngjini në Korçë, nga Shkodra në Ksamil./a.a//m.m/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.