Festivali i Muzikës së vjetër “VOX BAROQUE” gjallëron Beratin

87

TIRANË, 10 korrik /ATSH/ – Festivali i Muzikës së vjetër “VOX BAROQUE” po i kthen skenat e hapuara të trashëgimisë dhe sheshet e qyteteve në skena artistike, në një komunikim të gjallë me publikun.

Edicioni i pestë i këtij festivali përkon me 550-vjetorin e vdekjes së heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastriot Skënderbeu, ndaj dhe ky edicion i dedikohet figurës së tij duke përfshirë në repertorin e këtij viti muzikë të kompozitorëve të periudhës baroke kushtuar heroit tonë.

Jehona e tij qe aq e madhe në Europë, sa kompozitorë si Vivaldi e Rebel i kanë kushtuar një vëmendje të veçantë duke kompozuar opera në emër të tij.

Një nga titujt më të rëndësishëm të zhanrit lirik francez “tragedie lyrique” është opera “SCANDERBEG” e Francois Rebel me libretin e A.H.de La Motte e kompozuar në Francë, në një shoqëri ku shija për heronjtë dhe ekzotiken ishte shumë prezente.

Qyteti Muze i Beratit ishte ndalesa e dytë e festivalit të Muzikës Baroke. Në mjediset mbresëlënëse të Muzeut Etnografik interpretuan trioja holandeze dhe e ftuara e mbrëmjes, sopranoja Erida Agolli.

Shfaqja ishte një mbrëmje e mahnitshme dhe për të pranishmit pasi përkoi me 10-vjetorin e përfshirjes se këtij qyteti në listën e pasurive të trashëgimisë botërore UNESCO-s nga Komiteti i Trashëgimisë Botërore.

Ky festival është pjesë e kalendarit turistik veror 2018, hartuar nga Ministria e Kulturës, me gjithëpërfshirje nga Jugu në Veri, në bashkëpunim me institucionet artistike në vend, TKOB, Teatri i Kukullave, Cirku Kombëtar, AQSHF.

Kalendari përfshin rreth 70 shfaqje në zonat bregdetare nga Velipoja në Dhërmi, nga Shëngjini në Korçë, nga Shkodra në Ksamil.

Festivali i Muzikës së vjetër “VOX BAROQUE” i kushtohet tërësisht repertorit barok.

Përhapja e kësaj muzike të luajtur me instrumente origjinale në respekt të plotë të stilit, rregullave dhe mënyrës së interpretimit të asaj kohe, shikimi i muzikës me një këndvështrim tjetër historik dhe kritik duke kërkuar gjithmonë qasje të reja, formësojnë idealin e organizatorëve për të zhvilluar këtë festival të përvitshëm. /a.a//m.m/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.