TIRANË, 9 korrik/ATSH-Maela Marini/ Kuvendi miratoi sot 3 projektligjet e paketës fiskale.
Me shumicë votash, deputetët miratuan projektligjin “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin “Për tatimin mbi të ardhurat”, të ndryshuar”; projektligjin “Për një shtesë në ligjin “Për tatimin mbi vlerën e shtuar në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar” dhe projektligjin “Për një shtesë në ligjin “Për sistemin e taksave vendore”, të ndryshuar”.
Po ashtu me 72 vota pro, Kuvendi miratoi projektligjin “Për ratifikimin e memorandumit të qëllimit, ndërmjet qeverisë së Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për instalimin dhe përdorimin e Sistemit për Krahasimin dhe Vlerësimin e Sigurt të Identifikimit Personal (PISCES)”.
Në seancën e sotme plenare u miratua me 72 vota pro edhe projektligji “Për ratifikimin e protokollit, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Mbretërisë së Spanjës, për zbatimin e marrëveshjes, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Komunitetit Europian, për ripranimin e personave me qëndrim të paautorizuar”.
Ndërkohë Kuvendi vendosi shtyrjen e votimit për projektligjin “Për profesionin e avokatit në Republikën e Shqipërisë” dhe projektligjit “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.
