Kuvendi i Kosovës pranohet në Asamblenë Parlamentare të Frankofonisë

PRISHTINË, 9 Korrik/ATSH/- Kuvendi i Kosovës nga sot është anëtar i Asamblesë parlamentare të Frankofonisë, pas votimit në mbledhjen që është mbajtur në Kanada.

Lajmin e bëri të ditur kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, bëri të ditur se “kam kënaqësinë e madhe që t’iu njoftoj se Kuvendi i Kosovës sapo është votuar që të anëtarësohet në Asamblenë Parlamentare të Frankofonisë. Unë jam i gëzuar që pas shumë përpjekjesh kjo nismë për t’u bërë pjesë e këtij institucioni të rëndësishëm ndërkombëtar të parlamentarizmit u kurorëzua me sukses”.

“Kjo është organizata më e madhe ndërkombëtare parlamentare ku ne bëjmë pjesë dhe ofron një mundësi të jashtëzakonshme për diplomaci parlamentare. Nëpërmjet këtij anëtarësimi forcojmë subjektivitetin ndërkombëtar të shtetit tonë e do kemi mundësi ta promovojmë Kosovën e ndërtojmë marrëdhënie me parlamentarë të vendeve që ende nuk na njohin”, theksoi Veseli gjatë dhënies së këtij lajmit në seancën plenare.

Anëtarësimi i Kuvendit të Kosovës në Frankofoni është nismë e kryeparlamentarit Kadri Veseli i cili muaj më parë ka takuar edhe krerët e kësaj Asambleje, ndërsa ka zhvilluar edhe takime të ndryshme gjatë vizitave zyrtare në vende të ndryshme.

Para 1 muaji, pikërisht për këtë çështje, kryeparlamentari Veseli priti në Prishtinë, Sekretarin e Përgjithshëm të Asamblesë Parlamentare të Frankofonisë, Jacques Krabal./KosovaPress/k.s/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.