Haradinaj: Diaspora kosovare në Londër, frymë të re partneriteti ekonomik  

PRISHTINË, 9 Korrik/ATSH/- Gjatë qëndrimit në Mbretërinë e Bashkuar, kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, u prit në takim nga ministri i Shtetit për Tregti Ndërkombëtare, George Hollingbery.

Fillimisht kryeministri Haradinaj, falënderoi ministrin Hollingbery për mbështetjen që Mbretëria e Bashkuar ka dhënë në të gjitha proceset nëpër të cilat ka kaluar vendi, duke thënë se Kosova është e interesuar që marrëdhëniet e mira politike me një partner shumë të rëndësishëm si Mbretëria e Bashkuar, t’i forcojë edhe në aspektin ekonomik dhe tregtar.

“Zhvillimi ekonomik është prioritet i qeverisë së Kosovës, prandaj praktikat e mira dhe ndihma nga qeveria britanike do të jetë e mirëseardhur për përmirësimin dhe fuqizimin e zhvillimit ekonomik të vendit”, – theksoi Haradinaj.

Po ashtu, Haradinaj, u shpreh se “në Kosovë është krijuar klimë e mirë e të bërit biznes, janë ndërmarrë hapa që prodhuesit në Kosovë të jenë të barabartë me prodhuesit rajonal dhe prodhuesit e shteteve të Bashkimit Europian”.

Kryeministri Haradinaj, tha se “diaspora kosovare në Londër ka treguar suksese në shumë fusha dhe bashkëpunimi në këtë drejtim do të sjellë frymë të re partneriteti ekonomik”.

Ministri i Shtetit për Tregti Ndërkombëtare, George Hollingbery, falënderoi kryeministrin Haradinaj për bashkëpunimin e deritanishëm, duke thënë se Mbretëria e Bashkuar është e interesuar të thellojë bashkëpunimin dhe Kosovën e shikon si një partnere serioze në fushën ekonomike, veçanërisht në atë të këmbimeve tregtare. /k.s/j.p/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.