Aksidentet në trafik, Policia e Kosovës apel drejtuesve të mjeteve

PRISHTINË, 9 Korrik/ATSH/.- Policia e Kosovës, pas vdekjes së gjashtë personave në dy aksidente rrugore, i bën thirrje të gjithë drejtuesve të mjeteve të jenë më të vëmendshëm.

Në një njoftim për shtyp, Policia e Kosovës kërkon vëmendje posaçërisht në këtë periudhë kohore, kur ka shtim të qarkullimit rrugor dhe po ashtu reshje më të mëdha të shiut, të cilat mund të ndikojnë në kufizim të dukshmërisë dhe qarkullimi në rrugë mund të vështirësohet.

“Policia e Kosovës me njësitet e saj po vazhdon të monitorojë dhe të menaxhojë situatën në trafikun rrugor në të gjitha rrugët e vendit dhe aty ku pjesëmarrësit bien ndesh me rregullat në trafik, aplikon masa ndëshkuese ligjore, me qëllim të parandalimit të aksidenteve në përgjithësi, e në veçanti atyre me pasojë vdekjen, që po paraqesin shqetësim për të gjithë ne, për shkak të humbjes së jetëve njerëzore”, theksohet në njoftimin për shtyp të policisë./Kosovapress/k.s/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.