SHBA – Mijëra protestues kundër armëve të zjarrit në Çikago

UASHINGTON, 8 korrik /ATSH-AFP/ – Disa mijëra persona manifestuan të shtunën kundër dhunës nga armët e zjarrit në Çikago, qyteti i tretë më i madh i SHBA-së, që regjistron numrin më të madh të vrasjeve në vend.

Manifestuesit nën drejtimin e një pastori, aktivist prej dekadash në South Side, lagje e varfër e qytetit bllokuan një pjesë të autostradës për gati një orë.

Sot i tërhoqëm vëmendjen politikanëve, u shpreh një aktivist për televizionin WLS-TV. Qytetarët e thjeshtë fituan sot pasi ishin të pranishëm në tubim për të shprehur mosaprovimin e tyre ndaj dhunës së mbrapshtë në Çikago.

Çikago regjistroi 254 vrasje në gjashtë muajt e parë të vitit dhe 1 114 shkëmbime zjarri. Megjithëse numri i vrasjeve është në rënie me 23% në raport me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, qyteti vijon të jetë me numrin më të madh të vrasjeve në vend.

Debati për përhapjen e armëve të zjarrit është i vazhdueshëm në SHBA, pas rasteve të përsëritura të shkëmbimeve të zjarrit./

/v.b/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.