BULLGARI – Li Keqiang: Lufta tregtare në dëm të interesave të palëve

SOFJE, 7 korrik /ATSH/ – Kryeministri kinez Li Keqiang, që ndodhet për vizitë në Bullgari, zhvilloi të premten paradite në Sofje një konferencë të përbashkët shtypi me homologun e tij bullgar, Boyko Boisov, sipas CRI-së.

Duke folur për problemin e mosmarrëveshjeve tregtare, kryeministri Li vuri në dukje se Kina nuk do të nisë kurrë e para luftën tregtare, por nëse pala tjetër merr masa të njëanshme dhe vendos tarifa, Kina patjetër do të marrë kundërmasa. Kjo, sipas tij, mbron jo vetëm interesat e Kinës, por edhe autoritetin e Organizatës Botërore të Tregtisë.

Li Keqiang-u shtoi se nga lufta tregtare nuk ka asnjë fitues. Një luftë e tillë dëmton interesat e kompanive të të dy palëve dhe të atyre të vendeve të tjera, duke ushtruar ndikim negativ mbi procesin e rimëkëmbjes së ekonomisë botërore. Pavarësisht se si do të ndryshojë situata, Kina do të ngulë këmbë në thellimin e reformës dhe zgjerimin e hapjes, duke ruajtur qëndrueshmërinë ekonomike, theksoi numri një i qeverisë kineze, Li Keqiang. /

/v.b/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.