Agjencia Telegrafike Shqiptare

BSH forcon mbikëqyrjen, ekspertët: Hap konkret në parandalimin e pastrimit të parave

TIRANË, 7 korrik/ATSH/- Banka e Shqipërisë ka forcuar rregullat për mbikëqyrjen e tregut për të parandaluar pastrimin e parave.

Në bashkëpunim me institucionet e të tjera financiare, me drejtorinë e tatimeve të parandalimit të pastrimit të parave, Banka e Shqipërisë është e angazhuar në kryerjen e inspektimeve të përbashkëta, ndërsa në fokus ka edhe veprimtarinë e këmbimit valutor.

Elvin Meka ekspert i ekonomisë, në një prononcim për ATSH-në, u shpreh se ky angazhim tregon për një vëmendje më të madhe të BSH-së në luftën kundër pastrimit të parave.

Sipas tij, masat që po merren duhet të japin një përgjigje më të fortë edhe për sa i përket një prej faktorëve që sollën zhvlerësimin e euros në këto muajt e fundit, në gjurmimin e parave që vijnë nga sektori informal.

“Vendimi për mbylljen e 45 pikave të këmbimit valutor tregon për një hap konkret dhe masë shumë të fortë nga ana e Bankës së Shqipërisë, por edhe e organeve të tjera ligjzbatuese, në luftën kundër pastrimit të parave, që pritet të vijojë edhe më tej”. /e.xh//r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Exit mobile version