Meta mesazh ngushëllimi për ndarjen nga jeta të futbollistit, Skënder Hyka

TIRANË, 6 korrik /ATSH/ – Presidenti i Republikës, Ilir Meta i shprehu sot ngushëllimet më të sinqerta familjarëve dhe Klubit të Futbollit Tirana për ndarjen nga jeta të Skënder Hykës.

“Ai do të mbetet një prej futbollistëve më të dashur të fanellës bardhë e blu të viteve ’60-’70 dhe një prej sulmuesve dhe golashënuesve më të mirë të kampionatit kombëtar të futbollit”, shprehet Meta në mesazhin e ngushëllimit.

“Kontributi i tij i vyer si anëtar i Federatës Shqiptare të Futbollit, por edhe si trajner dhe mësues i palodhur i edukimit fizik, do të mbeten në kujtesën e të gjithëve”, thekson Meta.

“Modeli i një qytetari të Tiranës dhe përfaqësues i denjë i familjeve të vjetra tiranase, Skënderi do të kujtohet me mirënjohje dhe nderim nga të gjithë sportdashësit për emocionet e veçanta që ai u dhuroi në fushën e gjelbërt. Jam pranë familjes Hyka, e cila për dekada të tëra vazhdon t’i japë futbollit tonë emra të njohur e të shquar! U prehtë në paqe shpirti i tij!”, përfundon mesazhin e tij Presidenti Meta.

/gj.mima//m.m/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.