Investimet e huaja, Shqipëria pret sërish shifra rekord këtë vit

TIRANË, 6 korrik/ATSH/ – Investimet e huaja pritet të arrijnë sërish në shifra rekord edhe këtë vit.

Ministri i Financave dhe Ekonomisë, Arben Ahmetaj deklaroi gjatë një konference për shtyp se vijon përmirësimi i përgjithshëm i pozicionit të jashtëm të ekonomisë shqiptare.

Sipas tij, bilanci i përgjithshëm i pagesave shënoi rritje, duke arritur në 185.4 milionë euro.

“Flukset e investimeve të huaja u rritën 62% në tremujorin e parë të këtij viti, në krahasim me tremujorin e 2017. Ne presim që investimet e huaja edhe këtë vit të jenë rekord”, – bëri të ditur ai.

Kështu ai i dha përgjigje edhe akuzave të ngritura nga opozita se niveli i lartë i investimeve të huaja lidhet me dy investimet e mëdha TAP dhe Devoll.

“Investimet e huaja po ecin konsoliduar. Stoku i investimeve të huaja në 2015-n llogaritet 5 miliardë euro, ndërsa në dhjetor të 2016-s janë 6.5 miliardë euro. Kemi rritje me 16%”, -tha ai.
/a.gjonaj/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.