Sezoni veror, forcohen masat dhe kontrolli për sigurinë ushqimore

TIRANË, 5 korrik /ATSH/- Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural dhe institucionet në varësi, me fillimin e sezonit turistik, i kanë intensifikuar masat dhe aksionet për garantimin e sigurisë ushqimore në vend.

Në këtë kuadër, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) i ka shtuar më shumë aksionet dhe kontrollet për produktet ushqimore dhe njësitë tregtare, veçanërisht në zonat bregdetare, ku dhe numri i pushuesve është më i madh.

Në një njoftim për shtyp, Ministria e Bujqësisë bën të ditur se, mbrëmjen e ditës së djeshme, në kuadër të këtij aksioni, AKU Sarandë, në rrugën nacionale Sarandë-Ksamil, në vendin e quajtur Manastir, ka bllokuar një sasi prej 86 kg peshk, të pashoqëruar nga dokumentacioni përkatës.

Nga kontrolli rezultoi që si fatura, dhe kuponi tatimor i paraqitur trupës së inspektorëve të AKU-së ishin fiktive. Sasia e konfiskuar ndodhej në automjetin me targë AA 231 EJ dhe dyshohej se vinte kontrabandë nga Greqia. Subjekti u gjobit me 100000 lekë. Menjëherë u krye bllokimi dhe asgjësimi i sasisë së konfiskuar. Ky akt u krye në bashkëpunim me Inspektoriatin e Mjedisit.

Ministria e Bujqësisë garanton të gjithë pushuesit se do të vazhdojë t’i forcojë dhe thellojë masat dhe aksionet, për t’u siguruar atyre një sezon sa më të sigurtë veror. e.xh/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.