Prangoset, mashtroi për leje ndërtimi në vlerën 1 milion euro

TIRANË, 5 korrik /ATSH/ Një 41-vjeçar në Tiranë është arrestuar për mashtrim në vlerën e 1 milion eurove. Në prangat e policisë së Tiranës ka përfunduar Klodian Ciruna, banues në Tiranë, me precedentë penalë për mashtrim.

Kapja e tij u bë gjatë operacionit policor të koduar “Luçia” nga seksioni për Krimin Ekonomik dhe Financiar në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë.

Policia thotë se “shtetasi i ndaluar iu ka marrë tre shtetasve një shumë prej 1 milion eurosh, me premtimin se do t’iu siguronte leje ndërtimi dhe për këtë gjë ai premtonte se operonte me një nga studiot e Avokatisë në Milano (duke dërguar e-maile false në emër të studios dhe personave të tjerë)”.

Gjithashtu, për të kamufluar veprimet e tij dhe për të qenë më bindës, Ciruna ka bërë kontrata noteriale fiktive si dhe ka krijuar përkohësisht një kompani “Call Center” me aktivitet në fushën e shitblerjeve të pasurive të paluajtshme në Shqipëri si dhe jashtë saj, të cilën më pas e ka mbyllur.

Materialet proceduriale iu kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprën penale “Mashtrimit me pasoja të rënda”. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.