Policia shpëton turisten gjermane, kishte mbetur në kanionet e Osumit

TIRANË, 5 korrik /ATSH/ Një turiste gjermane mbeti e bllokuar në kanionet e Osumit, ndërsa ndërhyrja në kohë e policisë ka bërë të mundur shpëtimin e saj pa lëndime.

Policia ka ndërhyrë shpejt duke bërë të mundur shpëtimin e një turisteje gjermane e cila ishte bllokuar në kanionet e Osumit.

Policia thotë se ishte njoftuar se në vendin e quajtur “Ura e Blezënckës” në kanionet e lumit, një shtetase e huaj kishte mbetur vetëm dhe kërkonte ndihmën e Policisë për të dalë. Kështu, menjëherë u organizuan shërbimet e policisë të Komisariatit Skrapar, për t’i ardhur në ndihmë kësaj shtetaseje.

Forcat policore konstatuan se shtetasja gjermane K.P., e cila ishte pushuese së bashku me shtetasin gjerman H.P. ishin futur në kanione me varkë. Shtetasja gjermane e kishte lënë përgjysmë udhëtimin dhe për pasojë kishte mbetur në lumë.

Me ndihmën e punonjësve të Policisë, që përshkuan lumin me not në një gjatësi rreth 300 m, u nxor turistja jashtë kanioneve pa asnjë problem shëndetësor. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.