PEKIN – ‘’Volkswagen’’ një model i suksesshëm i bashkëpunimit dypalësh kinezo-gjerman

PEKIN, 5 korrik /ATSH-AFP/ – Kryeministri kinez, Li Keqiang do të kryejë një tur vizitash zyrtare në Bullgari dhe Gjermani nga data 5 deri më 10 korrik dhe do të drejtojë konsultimet midis qeverive kineze e gjermane, sipas CRI-së.

Bashkëpunimi kinezo-gjerman është thelluar në mënyrë të pandërprerë dhe kompania gjermane “Volkswagen” është një model i suksesshëm në bashkëpunimin dypalësh të nivelit të lartë. Në prag të vizitës së kryeministrit, Li Keqiang në Gjermani, presidenti i degës kineze të Grupit “Volkswagen”, Jochem Heizman, dha një intervistë për radion tonë ku foli mbi tregtinë e lirë, reformën e hapjen e Kinës, zhvillimin e ardhshëm të industrisë automobilistike etj.

Gjatë takimit në maj në Pekin, midis Li Keqiang-ut e Kancelares gjermane Angela Merkel, e cila ndodhej për vizitë në Kinë, dy udhëheqësit u shprehën pro mbrojtjes së multilateralizmit e të tregtisë së lirë. Jochem Heizman-i është i mendimit se hapja e tregut dhe tregtia e lirë kanë rëndësi themelore për sukseset e kompanisë “Volkswagen” në Kinë:

“Ne mirëpresim të gjitha masat e qeverisë kineze për nxitjen e hapjes së tregut, të tregtisë së lirë e të konkurrencës në treg në fushën e industrisë automobilistike. Këto masa do t’u vijnë në ndihmë vazhdimit të investimeve afatgjata në të ardhmen. Ne mirëpresim konkurrencën, konkurrenca e lirë nën kushte të barabarta ka rëndësi më të madhe për nxitjen e risisë, ky është i vetmi drejtim i duhur”, – u shpreh ai.

Në vitin 1983, kompania gjermane “Volkswagen”, hyri në tregun kinez dhe u prodhua makina e parë Volkswagen në Kinë. Sot Kina ka kaluar SHBA-në e Gjermaninë duke u bërë tregu më i madh i ndërmarrjeve automobilistike gjermane. Sipas të dhënave të vitit 2017, rreth 40% e automjeteve të Grupit “Volkswagen” prodhohen e shiten në Kinë. Jochem Heizman u shpreh se “Volkswagen”-i është përfitues i padiskutueshëm i globalizimit ekonomik e i tregtisë së lirë.

/v.b/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.