Fushata elektorale, diskutohet roli i administratës dhe medias

TIRANË, 5 korrik/ATSH/ – Fokusi tek administrata zgjedhore dhe puna e medias, veçanërisht në periudhën e fushatave elektorale, u vendos në qendër të diskutimeve në takimin e zhvilluar nga prezenca e OSBE-së në Shqipëri.

Në kuadër të projektit të ODIHR-it “Mbështetje për zgjedhjet në Ballkanin Perëndimor”, tryezat teknike qenë pjesë e ndihmës që ODIHR-i i jep Komisionit të Posaçëm për Reformën Zgjedhore për zbatimin e rekomandimeve për zgjedhjet.

Për dy ditë me radhë, takimi bëri bashkë përfaqësues të Komisionit të Posaçëm, Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe organizatave të shoqërisë civile, si dhe ekspertë të organizatave ndërkombëtare. Ndër çështjet kyçe që u diskutuan qenë modelet e organeve të menaxhimit të zgjedhjeve dhe trajnimi i anëtarëve të administratës zgjedhore. Po kështu, morën pjesë edhe përfaqësues të Autoritetit të Mediave Audiovizive dhe të Bordit të Monitorimit të Medias. Çështjet kryesore qenë pavarësia editoriale e medias, edhe gjatë fushatave, paanësia në mbulimin e fushatës dhe rritja e kapaciteteve të transmetuesit publik.

“ODIHR-i ka bashkëpunuar ngushtë me Komisionin që nga ngritja e tij, duke e ndihmuar në ndjekjen e rekomandimeve për zgjedhjet”, – tha Urdur Gunnarsdottir, Këshilltare e Posaçme e Drejtores së ODIHR-it. Më tej, ajo shprehur gadishmërinë  për të mbështetur fazën tjetër të procesit të reformës zgjedhore, duke ofruar këshilla gjatë hartimit të ndryshimeve ligjore.

Ambasadori Bernd Borchardt, Kryetar i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, tha: “Nuk ka dyshim që ekziston nevoja për një reformë të plotë dhe në kohë, e cila do të adresojë rekomandimet e OSBE/ODIHR-it të tri zgjedhjeve të fundit dhe do të trajtojë çështje kyçe lidhur me zgjedhjet demokratike. Së bashku me ODIHR-in, ne i ofrojmë Kuvendit të Shqipërisë mbështetjen tonë të plotë në përmbushjen e kësaj reforme”.

Projekti “Mbështetje për zgjedhjet në Ballkanin Perëndimor” financohet nga Bashkimi Europian dhe Agjencia Austriake për Zhvillim. Ai mbështet vendet e Ballkanit Perëndimor në përpjekjet e tyre për të ndjekur rekomandimet e dala nga vëzhgimi i zgjedhjeve, në fusha që kanë të bëjnë me administratën zgjedhore, regjistrimin e zgjedhësve dhe mbulimin mediatik gjatë fushatave zgjedhore. /z.tosku//j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.